Në fundjavën që e lamë pas Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK) e ka mbajtur Kuvendin e saj Zgjedhor.
Në Kuvend kanë marr pjesë 25 delegatë nga gjithsej 45 sa ka numëruar Kuvendi deri në ditën e mbajtjes së tij, pasi që nga dita e shtunë anëtarë të Kuvendit janë bërë të gjithë trajnerët që kanë aplikuar dhe që janë regjistruar në Programin për Edukim dhe Licencim.
Pas miratimit të rendit të ditës, u zgjodhën trupat punues të Kuvendit, ndërsa më pas fjalën e mori kryetari i SHTBK-së, Arben Krasniqi, i cili e paraqiti raportin e punës dhe atë financiar, të cilët u miratuan njëzëri nga delegatët e pranishëm.
Më pas është miratuar edhe draft-statuti i ri i SHTBK-së. Ndërkaq si pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe prezantimi i Programit të sistemit të Edukimit dhe Licencimit të Trajnerëve, pikë kjo që u prezantua nga kryetari i Këshillit Profesional të FBK-së, Tone Krump, i cili edhe është udhëheqës i këtij programi. Pas prezantimit të programit janë miratuar edhe rregullat e reja të Licencimit të Trajnerëve në Kosovë.
Si pikë e fundit e rendit të ditës ishte zgjedhja e organeve të reja të SHTBK-së. Arben Krasniqi njëzëri u votua edhe për një mandat nga delegatët e pranishëm për kryetar të SHTBK-së, kurse nënkryetar u zgjodhën Fikret Shatri dhe Jeton Nixha, ndërsa anëtarë të Bordit të SHTBK-së u zgjodhën Kimete Haliti, Shkumbin Kumnova, Gazmend Asllani dhe Blerim Krasniqi.
Ndërkaq në Komisionin për Licencim, që është një organ shumë i rëndësishëm për Programin për Edukim dhe Licencim të FBK-së u zgjodhën Ilir Selmani-kryetar, Albert Sylejmani dhe Ibrahim Karabeg-anëtarë.