Të shtunën, ora 17:00 Trepça vs AS Prishtina

12.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA
13.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT

Banka TEB sërish në mbështetje të Përfaqësueses së Kosovës

  • Banka TEB sërish në mbështetje të Përfaqësueses së Kosovës
27 July 2017


Banka TEB do të vazhdoj të mbështesë Përfaqësuesen A të Kosovës. Pas përkrahjes së dhënë vitin e kaluar në kualifikimet për Eurobasket 2017, banka TEB edhe këtë vit ka vendosur të mbështesë FBK-në në fazën e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.
Të enjten në zyre të FBK-së, kryetari Erolld Belegu dhe drejtori i përgjithshëm i bankës TEB, Orcun Ozdemir e kanë nënshkruar kontratën edhe për një vit tjetër.
Me këtë rast FBK ka organizuar edhe konferencë për media, ku të pranishëm përveç kryetarit të FBK-së, Erolld Belegu dhe drejtorit të përgjithshëm të bankës TEB, Orcun Ozdemir kanë qenë edhe përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Brad Greenberg dhe kapiteni, Dardan Berisha. Greenberg dhe Berisha kanë folur për fazën përgatitore të Përfaqësueses, për stërvitjet dhe për ndeshjet miqësore të zhvilluara, si dhe për atë çfarë na pret në ditët në vazhdim.


Erolld Belegu, kryetar i FBK-së:
“Për ne është kënaqësi që banka TEB ka vendosur të na ndihmojë në këtë fazë të rëndësishme për federatën, pra në fazën e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës. Banka TEB tash e sa vite i ka dal krah FBK-së, andaj ne e falënderojmë për këtë përkrahje të parezervë.
FBK është duke punuar parezervë që basketbollistët dhe trajnerët e Përfaqësueses t’i kenë kushtet më të mira të mundshme, dhe besoj se deri më tani ia kemi dal me sukses dhe kështu do të vazhdojmë deri në përmbyllje të fazës parakualifikuese.
Tani jemi edhe në fazën përfundimtare të organizimit teknik të ndeshjeve, ku të premten kompania që merret me marketingun do ta prezantojë gjithë planin e saj të veprimit në konferencën për media që do të organizohet të premten në ora 13:00 në zyre të federatës.
Jemi duke u mobilizuar maksimalisht që së pari ndeshja me Maqedoninë të na gjejë sa më të përgatitur në aspektin e organizimit, dhe më pas do të mendojmë për ndeshjen me Estoninë, ku pra të dyja këto ndeshje do t’i luajmë si nikoqir”.


Orcun Ozdemir, drejtor i përgjithshëm i Bankës TEB:
“Ne jemi shumë të lumtur që sërish do të mbështesim Përfaqësuesen A të Kosovës dhe po besojmë se pas ndeshjeve kualifikuese të vitit të kaluar për Eurobasket, ku Kosova nuk u kualifikua, sivjet kjo do të ndodh. Besojmë fuqishëm se Kosova këtë herë do të jetë edhe më e fortë dhe më e gatshme për këto ndeshje shumë të rëndësishme. Në të njëjtën kohë besojmë shumë se palestra do të jetë e stërmbushur në mënyrë që të Kosova të ketë përkrahje sa më të madhe dhe kështu do ta kaloj këtë rang të kualifikimeve dhe do të vazhdoj tutje garat në muajin nëntor”.


Brad Greenberg, përzgjedhës i Kosovës:
“Jemi duke e bërë një punë shumë të mirë të gjithë së bashku. Lojtarët janë duke e dhënë më shumë se maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje.
Prej fillimit të fazës përgatitore punët kanë shkuar ashtu siç kemi planifikuar. Jam shumë i kënaqur me punën e lojtarëve, sepse në çdo seancë stërvitore e kanë angazhimin maksimal. Kjo na shtynë të besojmë se jemi në rrugën e duhur të komponimit sa më të mirë të ekipit në mënyrë që ndeshjet parakualifikuese të na gjejnë sa më të përgatitur.
Ndeshja me Maqedoninë po afrohet andaj i gjithë fokusi ynë është tani te ky takim. Besojmë se do të jemi të gatshëm për ti kënaqur të gjithë adhuruesit e basketbollit, të cilët do të jenë të mërkurën të pranishëm në palestër dhe ata që do të na përcjellin nëpërmjet televizorit”.

Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësueses së Kosovës:
“Së pari e falenderojmë bankën TEB, e cila edhe sivjet ka vendosur të na mbështesë në këtë fazë shumë të rëndësishme të Përfaqësueses. Kjo ne na motivon shumë për të punuar me intensitet edhe më të lartë në mënyrë që t’ia kthejmë këtë besim njërit prej sponsorëve tanë më të rëndësishëm.
Në aspektin profesional jemi përgatitur mjaft mirë, besoj se ndeshjet miqësore që i kemi zhvilluar na kanë ndihmuar të shohim më për së afërmi formën tonë.
Prej të hënës jemi kthyer në Kosovë pas një mini-turneu që e kemi pasur, ku i kemi luajtur 5 ndeshje miqësore dhe tani jemi duke punuar intensivisht që të përgatitemi sa më mirë për fazën parakualifikuese, e në veçanti për ndeshjen me Maqedoninë.
Shpresoj dhe besoj shumë se do të kemi përkrahje maksimale nga tifozët, sepse ata janë lojtari ynë i gjashtë. Unë jam shumë optimist se me këtë përbërje që e kemi dhe me ndihmën e shikueseve së pari do ta mposhtim Maqedoninë dhe më pas Estoninë. Këtu e kam fjalën për ndeshjet si vendas, e më pas do të mendojmë edhe takimet si mysafirë”.


Përfaqësuesja jonë do të bëjë gara në Grupin C së bashku me Maqedoninë dhe Estoninë.
Ndeshjen e parë, Kosova do ta luaj si nikoqire, kundër Maqedonisë, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë me fillim nga ora 20:15.