Bashkimi e ka mposhtur Sigal Prishtinën në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të play-off-it në Superligën e Kosovës dhe kështu e ka barazuar serinë në 1:1.
Takimi i luajtur të enjten mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren ka përfunduar me shifrat 88:86 (9:16, 24:13, 21:18, 13:20, 11:11, 10:8), dhe atë vetëm pas dy vazhdimeve.
Në cerekun e parë ishin mysafirët ata që e dominuan ndeshjen, duke dhënë shenja se do të kryejnë punë lehtë, mirëpo në dhjetëminutëshin e dytë nikoqirët e treguan një fytyrë krejt tjetër dhe bënë që në pushim skuadrat të shkojnë me rezultat 33:29 në të mirë të portokallinjve. Në cerekun e tretë u zhvillua një luftë e vërtetë, por që për një nuancë më të mirë ishin vendasit, 21:18. Në dhjetëminutëshin e katërt u zhvillua një luftë nervash, së pari Granit Rugova i Bashkimit me një trepikësh dërgon ekipin e tij në epërsi 67:64 dhe më pas në anën tjetër në castet e fundit të ndeshjes doli në skenë Willie Kemp i Prishtinës, i cili barazoi gjithcka 67:67 dhe kështu ia siguroi vazhdimet skuadrës nga kryeqyteti.
Në pesë minutat shtesë vazhdoi i njëjti avaz, të dyja ekipet luftuan fortë, andaj edhe kjo pjesë e lojës përfundoi me barazim, 78:78. Në këtë mënyrë u desh të zhvillohen edhe pesë minuta shtesë, ku edhe u përcaktua fituesi. Sigal Prishtina në këto minuta ishte e hendikepuar pa Jason Washburn-in dhe Gerti Shimën, pasi ata u larguan me nga ndeshja me nga pesë personale, por kjo nuk ia zbehu aspak fitoren Bashkimit me rezultat 88:86.
Më efikasit te portokallinjtë ishin Granit Rugova dhe Rokas Uzas me nga 24 pikë secili, kurse te bardhekaltrit më i dalluari ishte Dardan Berisha me 25 pikë.
Ndeshja e tretë gjysmëfinale e garave shtesë në mes këtyre dy klubeve do të zhvillohet të dielën, sërish në Prizren.