Sigal Prishtina e ka përjetuar humbjen e parë në edicionin 2017-2018 dhe për këtë është përkujdesur Bashkimi të enjten mbrëma në palestrën "Sezai Surroi" në Prizren.
Ndeshja i ka takuar xhiros së XXII në IP Superligën e Kosovës dhe ka përfunduar me shifrat 91:84 (22:18, 20:16, 17:20, 32:30).
Më të merituarit për fitoren e skuadrës prizrenase ishin Mikaile Tmusic me 29 pikë, 6 kërcime e 3 asistime, Aaron Moss me 25 pikë, 8 kërcime e 9 asistime dhe Vincent Zollo me 17 pikë e 6 kërcime.
Në anën tjetër te bardhekaltrit më efikasit ishin Granit Rugova me 33 pikë, 8 kërcime e 6 asistime, Filip Bundovic me 20 pikë e 5 kërcime dhe Fisnik Rugova me 13 pikë, 4 kërcime e 5 asistime.
Duhet theksuar se me këtë ndeshje edhe është përmbyllur xhiroja e XXII në IP Superligë, derisa të mërkurën Trepca e ka mposhtur Pejën me rezultat 63:58, Rahoveci ishte skuadër më e mirë se Borea ndaj të cilës triumfoi me 109:85 dhe në fundjavën që e lamë pas Golden Eagle Ylli shënoi fitore në ballafaqim me Kerasan Prishtinën me 99:71.