Skuadra e Bashkimit nga Prizreni e ka deklasuar ekipin nga Sofja, Levski 2014 me rezultat 94:75 (30:7, 20:13,27:23,17:32) në ndeshjen e luajtur të martën mbrëma në palestrën e sporteve “Sezai Surroi” në Prizren në kuadër të xhiros së VII në Grupin B në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).
Prizrenasit ishin ata që e kanë diktuar ritmin e lojës prej fillimit e deri në fund, duke mos e lejuar kundërshtarin që për asnjë cast të shpresoj në ndonjë fitore eventuale. Në anën tjetër për bullgarët kjo ishte paraqitja më e dobët në edicionin e deritashëm në BIBL.
Më të dalluarit në radhët e vendasve ishin Marcel Jones me 28 pikë, 8 topa të vjedhur e 6 kërcime dhe Tay Waller me 25 pikë. Te mysafirët më efikasit ishin Aleks Simeonov me 31 pikë e 12 kërcime dhe Evgeni Hadzhirusev me 25 pikë, 7 kërcime e 4 asistime.
Me këtë fitore Bashkimi i është afruar dukshëm fazës së dytë në BIBL, kurse Levski 2014 pothuajse i ka humbur të gjitha shanset për një gjë të tillë.