Xhiroja e 15-të e Superligës së Femrave ka dhuruar disa ndeshje mjaft interesante.
Pa dyshim përballja kryesore ishte ndërmjet Bashkimit dhe Penzës, ku vashat prizrenase triumfuan 70:67 (17:13, 23:16, 16:12, 14:26). Bashkimi ishte më i mirë në tri perioda, por në atë të fundit, Penza këndellet dhe lufton deri në fund, duke afruar rezultatin në 68:67, por vendaset nuk lejojnë befasi, për të fituar në fund me tri pikë epërsi. Saranda Daci ishte më e dalluara te Bashkimi me 27 pikë e 13 kërcime, kurse te Penza më e mira ishte Valbona Bytyqi me 28 pikë, 11 kërcime dhe pesë asistime. Bashkimi ka 14 fitore dhe një humbje, kurse Penza nëntë fitore dhe gjashtë humbje.
Vëllaznimi shënoi fitore të rëndësishme, duke mundur Trepçën në udhëtim 41:52 (12:20, 6:12, 10:15, 13:5). Skuadra kuqezi tani ka dy fitore dhe 13 humbje, kurse vashat mitrovicase pesë fitore dhe 10 humbje.
Në sfidën e fundit, Mabetex Prishtina ka mundur Kastriotin me shifrat 135:46 (35:12, 30:12, 38:14, 32:8). Vashat prishtinase kanë 13 fitore dhe dy humbje, kurse ato ferizajase dy fitore dhe 13 humbje.