Dardan Berisha, padyshim se është njëri ndër basketbollistët më të merituar për suksesin e trefishtë të Sigal Prishtinës në edicionin 2015/16.
Në fundjavë Sigal Prishtina e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës, derisa muaj më parë është stolisur me trofeun e Ipko Kupës së Kosovës, si dhe me titullin e dytë radhazi në Ligën Ballkanike (BIBL). Bardhekaltrit në këtë edicion kanë debutuar edhe në FIBA Europe Cup, në të cilën garë kanë pasur një paraqitje solide, duke shënuar dy fitore dhe duke pësuar katër humbje, për të mos e kaluar fazën e grupeve, në të cilën kanë qenë së bashku me ekipet si Astana nga Kazakistani, Energia nga Rumania dhe AEK Larnaca nga Qiproja.
Sidoqoftë për kryeqytetasit ky edicion vlerësohet të jetë i përkryer pasi i kanë fituar 3 trofe, gjë që nuk e kanë bërë asnjëherë nga paslufta. Kështu mendon edhe basketbollisti më i mirë në vendin tonë, Dardan Berisha:
“T’i fitosh tre trofe brenda një edicioni nuk është aspak punë e lehtë dhe atë në një konkurrencë shumë të fortë, e cila ka mbretëruar si në garat vendore ashtu edhe në Ligën Ballkanike. Por kur gjithçka përfundoi në favorin tonë dhe atë në mënyrën më të mirë të mundshme, atëherë vërtetë është një kënaqësi e madhe, e cila edhe vështirë mund të përshkruhet. Por unë jam shumë i lumtur që na është shpaguar i gjithë mundi, pasi ka qenë edicion i vështirë për ne, duke marr parasysh ngarkesën e madhe që e kemi pasur për shkak të pjesëmarrjes në katër gara, si dhe për shkak se ekipi ka përjetuar ndryshime si në lojtarë ashtu edhe në shtabin teknik brenda një edicioni. Të gjitha këto kanë ndikuar në rënien e formës tonë në disa faza të edicionit, por si skuadër e madhe që jemi ne ia kemi dal me sukses t’i menaxhojmë dhe t’i tejkalojmë ato. Për sukseset që i kemi arritur gjatë këtij edicioni të gjithë kemi merita, duke filluar nga lojtarët, trajnerët, zyrtarët e klubit dhe ata që gjithnjë besuan në vlerat tona, tifozët që gjithnjë ishin lojtari ynë i gjashtë”.
11-shja bardhekaltër ka folur edhe për rivalitetin me Pejën gjatë gjithë edicionit dhe në veçanti për ndeshjet finale:
“Fakti se i kemi fituar të gjitha takimet (përjashtim finales së katërt) kundër Pejës në çastet e fundit tregon më së miri për rivalitetin e madh ndërmjet nesh. Në finale të Kupës triumfuam në sekondën e fundit, po ashtu në finalet e play-off-it pothuajse të gjitha ndeshjet janë përcaktuar në sekondat e fundit. Kanë qenë stresuese dhe me presion të madh duelet ndaj tyre, por krejt në fund e gjithë kjo e bën që trofetë të jenë më të këndshëm dhe më të merituar”.
Berisha për fund e ka dhënë edhe një mendim për nivelin e basketbollit kosovar:
“Përveç Sigal Prishtinës dhe Pejës, në këtë edicion ka qenë edhe Bashkimi që ka luajtur mjaft mirë. Ka marr pjesë në dy gara dhe në të dyjat ka dëshmuar lojëra të mira. Të them të drejtën ne kemi qenë për një nuancë si skuadër më e mirë se Peja dhe Bashkimi, por në duelet ndaj tyre gjithnjë ka mbizotëruar rivaliteti i madh dhe kjo është shumë interesante, pasi motivimi i këtyre dy klubeve e në veçanti i Pejës është shumë i madh kur luan kundër Prishtinës. Basketbolli që nga paslufta është sporti më i përcjellur dhe më i madh, pasi të gjithë jemi dëshmitarë se në ndeshjet e basketbollit në palestra janë dikur rreth 2000-25000 shikues. Unë uroj që edicionin e ardhshëm edhe Trepça me rinovimin e palestrës të rikthehet ajo e dikurshmja dhe ta kthejmë atë katërshen e madhe dhe në këtë mënyrë të vazhdojmë me promovimin e basketbollit dhe vlerave të këtij sporti si në vendin tonë ashtu edhe jashtë tij”.