Edicioni i ri në basketbollin e Kosovës pritet të nisë me risi, pasi do të fillojë edhe Liga e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Federata e Basketbollit e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë janë duke punuar intensivisht për jetësimin e ëndërrës për një ligë të përbashkët, ku do të marrin pjesë katër skuadrat më të mira të Kosovës dhe katër më të mirat nga Shqipëria.
Kjo ide po përkrahet nga komuniteti i basketbollit në Kosovë, si trajnerët, analistët dhe lojtarët.
Basketbollisti i Kosovës dhe Golden Eagle Yllit, Valon Bunjaku thotë se kjo do të jetë një risi dhe në favor të lojtarëve të rinj.
“Liga e përbashkët Kosovë-Shqipëri mendoj se do të jetë një risi për ne basketbollistët, po ashtu edhe për shikuesit. Gjithashtu do të jetë në favor të basketbollistëve sepse do të ketë shumë lojëra. Qëllimi kryesor i kësaj lige të jetë përkrahja e basketbollistëve të rinj. Skuadrat duhet tu japin më shumë hapësirë për të rinjtë, që do të ishte një motivim i madh për ta sepse në vendin tonë ka shumë talente të rinj që meritojne përkrahje, e kjo do të kishte ndikim shumë të madh në fushën e basketbolli. Jam shumë i lumtur që erdhi një bashkëpunim i tillë dhe mendoj që do të jetë një përvojë prej më të mirave”, është shprehur Bunjaku për faqen zyrtare të FBK-së.