Të shtunën, ora 17:00 Trepça vs AS Prishtina

12.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA
13.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT

FBK e zyrtarizoi marrëveshjen e partneritetit me Digitalb dhe SuperSport

  • FBK e zyrtarizoi marrëveshjen e partneritetit me Digitalb dhe SuperSport
9 June 2016

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) të enjten në një konferencë për media e ka zyrtarizuar marrëveshjen e partneritetit me shtëpinë e madhe televizive, Digitalb dhe SuperSport.

Në të njëjtën kohë është publikuar edhe videoja e parë drithëruese e Kombëtares së Kosovës në basketboll.

Ky spot publicitar është realizuar nga partneri i FBK-së për marketing dhe promocion Base, si dhe nga produksioni Pixels.

Njëherësh ky nuk do të jetë spoti i vetëm publicitar i Kombëtares së Kosovës, pasi do të ketë edhe të tjerë, nëpërmjet të cilëve FBK do të promovojë vlerat e basketbollit kosovar, por edhe të Kombëtares tonë në veçanti.

Në konferencën për media të pranishëm ishin numri 1 i FBK-së, Erolld Belegu dhe përfaqësuesi i Digitalb, Adi Bejo, të cilët shpalosën planet e tyre të përbashkëta në aspektin e bashkëpunimit të ndërsjell, në mënyrë që Kombëtarja e Kosovës të ketë sa më shumë pompozitet gjatë ditëve, javëve dhe muajve në vazhdim.  

Erolld Belegu, kryetar i FBK-së:

“Sot është konferenca e parë që ka të bëjë me Kombëtaren e Kosovës, pasi të tilla do të kemi pothuajse çdo ditë, ku do të mundohemi të shpalosim programin tonë të përgatitjeve në të gjitha aspektet për kualifikimet për Kampionatin Evropian. Kemi më shumë se dy muaj deri në ndeshjen e parë kualifikuese për Eurobasket 2017, por ne deri atëherë do të punojmë në të gjitha drejtimet për të promovuar vlerat e basketbollit kosovar, por edhe të Kombëtares në veçanti. Ne sot e kemi zyrtarizuar një marrëveshje të partneritit me Digitalb dhe SuperSport, të cilët do ta përcjellin në vazhdimësi Kombëtaren e Kosovës në të gjitha aktivitetet deri në fillimin e kualifikimeve dhe gjatë kualifikimeve. Ne po ashtu sot për herë të parë e kemi lansuar klipin e parë të Kombëtares së Kosovës. Ky nuk do të jetë klipi i vetëm, por do të ketë edhe të tjerë, sepse ne kështu do të përpiqemi të vetëdijësojmë opinionin për të përkrahur në masë sa më të madhe Kombëtaren tonë, por në të njëjtën kohë do t’i shtyjmë fëmijët që sa më shumë të merren me sport, në këtë rast me basketboll”.

Adi Bejo, përfaqësues i Digitalb&Supersport:

“Për ne është kënaqësi e madhe të bashkëpunojmë me një institucion serioz si Federata e Basketbollit e Kosovës. Në momentin e parë që i kemi filluar bisedimet ne njëzëri kemi qenë të pajtimit për arritjen e marrëveshjes, pasi bëhet fjalë për basketbollin tonë dhe për promovimin e vlerave tona sportive. Në këtë mënyrë ne do të tentojmë t’i edukojmë brezat e rinj për të praktikuar basketbollin. Digitalb dhe SuperSport tash e sa kohë janë partner të klubeve më të mëdha kosovare dhe tani ka ardhur koha që të shkojmë edhe në një nivel më lartë, pra në nivel të Kombëtares së basketbollit. Ne do t’i mbulojmë të gjitha aktivitetet e Kombëtares A dhe do të bëjmë përpjekje që t’i përcjellim nga afër edhe Përfaqësueset e reja në të dyja konkurrencat. Të gjitha këto do t’i bëjmë duke i respektuar kriteret e FIBA-s”.

Duhet theksuar se Kosova ndeshjen e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do ta luaj kundër Sllovenisë si mysafire më 31 gusht të këtij viti.

Ndërkaq ndeshjen e dytë Kosova do ta luaj si nikoqire më 3 shtator kundër Ukrainës, kurse më 7 shtator është mysafire e Bullgarisë, derisa më 10 shtator e pret Slloveninë, pastaj udhëton në Ukrainë më 14 shtator dhe ndeshjen e gjashtë e të fundit në kuadër të këtyre kualifikimeve do ta zhvilloj si nikoqire më 17 shtator ndaj Bullgarisë.