Departamenti i Shtetit Amerikan i ka bërë ftesë Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) që kjo e fundit ti dërgojë në SHBA, pesë vajza të moshës 15 deri në 18 vjeç dhe një trajnere në vitin e ardhshëm në kuadër të Programit të Vizitorëve të këtij Departamenti.
"Për shkak të implementimit të Planit të Veprimit nga ana e Sekretares së Përgjithshme të FBK-së, Elvira Dushku, plan të cilin ajo e kishte paraqitur në fund të programit GSMP në vitin 2017, e që kishte të bëjë me fuqizimin e femrës në sport në Kosovë, ne ju kemi identifikuar si burim për të na ndihmuar në përzgjedhjen e pjesëmarrëseve të ardhshme në kuadër të Programit të Vizitorëve të vitit të ardhshëm në SHBA.
Zyra jonë është duke e përcjell me vëmendje të madhe punën e alumni të programit GSMP, me shpresën për t'ju mbështetur në nismat tuaja sportive dhe për komunitetin, dhe në këtë mënyrë edhe për të lidhur rrjetin tonë të diplomacisë sportive, si dhe për të shpërndarë këto përvoja edhe tek vajzat e reja”, thuhet ndër të tjera në ftesën e dërguar nga Departamenti i Shtetit Amerikan në adresë të FBK-së.
Programi i Vizitorëve të Sportit është një program dy-javor i shkëmbimit të sporteve aktive dhe eksperimentale me bazë në SHBA për sportistët dhe trajnerët e rinj, e që implementohet në bashkëpunim me OJQ me bazë gjithashtu në SHBA.
Ky program përfshin një kamp sportiv, ku 40% e punës është e fokusuar në terren dhe 60% e punës është jashtë fushës që do të thotë në Punëtori dhe angazhim në komunitet.
Këto aktivitete thellojnë kuptimin e pjesëmarrësve për SHBA-në dhe promovojnë zhvillimin pozitiv shoqëror me një fokus të veçantë në lidership dhe fuqizimin e të rinjve.
Programi është planifikuar të implementohet në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut të vitit 2020.
Ndërkaq Federata e Basketbollit të Kosovës do të bëjë përzgjedhjen e pesë vajzave dhe një trajnere deri më 1 nëntor 2019 dhe më pas do të fillohet me procedurat e tjera në bashkëpunim me OJQ-të me seli në SHBA që janë pjesë e këtij programi.
Duhet theksuar se Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku në vitin 2017 kishte qëndruar për 6 javë në SHBA në kuadër të programit Global Sports Mentoring Program, ku edhe në fund të programit e kishte paraqitur një Plan të Veprimit për fuqizimin e femrës në sport nëpërmjet basketbollit.
Që nga kthimi prej SHBA, Dushku me sukses është duke e implementuar Planin e Veprimit në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe Ambasadën Amerikane në Prishtinë, me të cilën FBK ka një marrëdhënie të shkëlqyeshme, ku edhe janë realizuar projekte të shumta të përbashkëta dhe të tjera që pritet të organizohen.