Në kuadër të shtimit të aktivitetit dhe pranisë në rrjete sociale dhe në media, Federata e Basketbollit e Kosovës, ka edhe një lajm të mirë për klubet, sponsorët, analistët dhe adhuruesit e basketbollit.
Pas një pune intensive që nga fundi i vitit të kaluar, FBK ka rifunksionalizuar kanalin e saj në youtube dhe tashmë në këtë kanal mund të gjeni xhirimet e plota të ndeshjeve të këtij edicionit të Superligës së Kosovës, kurse së shpejti në këtë kanal do të paraqiten edhe çastet më të ndritshme (highlights) të ndeshjeve dhe të lojtarëve individual.
Siç dihet FBK sivjet ka nënshkruar kontratë për të drejta televizive me kompaninë Art Motion, që ka bërë transmetimin e të gjitha ndeshjeve të Superligës dhe disa ndeshjeve të Ligës së Femrave dhe të kategorive të reja, veprim ky që ka ndikuar shumë në rritjen e prezencës mediale të basketbollit në Kosovë.
Federata, duke dashur të mbajë afër saj të gjithë adhuruesit e dashamirët e basketbollit, do të vazhdojë komunikimin me publikun edhe në uebfaqen me dizajn të ri, ku mund të gjeni statistikat e plota të lojtarëve dhe ndeshjeve, por edhe në faqet tona në Facebook, Instagram dhe Twitter.
Kanali i FBK-së në youtube, që menaxhohet në bashkëpunim me portalin “Insporti”, do të shërbejë si arkiv digjital i FBK-së, ku përveç ndeshjeve, gradualisht do të publikohen edhe pamje nga seminaret për trajnerë e gjyqtarë, konferencat për media, tubimet e ekipeve kombëtare dhe ngjarjeve tjera që FBK do ti vë në dispozicion të medieve dhe publikut.