Para fillimit të kualifikimeve për Eurobasket 2017, ku Kosova do ta garojë për herë të parë, FIBA ka paralajmëruar edhe një herë për palestrën ku kombëtarja e Kosovës do ti zhvillojë ndeshjet.
Pasi FBK ka lajmëruar Pallatin e Rinisë si palestrën ku Kosova do ta luajë si vendës dhe pas përvojës me këtë pallat që zyrtarët e FIBA-s e kanë nga sezoni i kaluar i FIBA Europe Cup me Sigal Prishtinën, FIBA ka dërguar një letër në adresë të FBK-së ku kërkohet intervenim urgjent në disa pjesë të infrastrukturës.
Në letrën e nënshkruar nga Drejtori Ekzekutiv i FIBA Evropës Kamil Novak, drejtuar Kryetarit të FBK-së Erolld Belegut thuhet:
I nderuari z. President,
I nderuar Erolld,
“Siç e dini, ndeshjet kualifikuese për Eurobasket 2017 janë duke u afruar shumë shpejtë dhe Përfaqësuesja juaj do të merr pjesë për herë të parë në këtë garë. Për këtë arsye, ne dëshirojmë t’i theksojmë disa çështje lidhur me palestrën.
Në mënyrë që të përputheni me standardet e sallës, të caktuara enkas për ndeshjet kualifikuese për EuroBasket 2017, por gjithashtu për gara tjera të FIBA Evropës, si Kampionatet Evropiane për gjenerata e reja, është i domosdoshëm rinovimi i parketit në palestrën në Prishtinë. Gjithashtu, zhveshtoret duhet të rinovohen dhe semafori duhet të përmbushë nivelin e certifikimit FIBA 1.
Zona për doping kontroll duhet t’i përmbush standardet ndërkombëtare të përcaktuara në Rregulloren e Brendshme të FIBA-s dhe protokollit të ËADA-s. Përveç kësaj, duhet siguruar edhe infrastruktura e nevojshme për media, Mixed Zone dhe salla për konferencë të medieve. Keni parasysh se përjashtimi i bërë për Sigal Prishtinën për këtë sallë është bërë vetëm për sezonin 2015/2016 të FIBA Europe Cup vetëm pas premtimeve që ndryshimet/përmirësimet e nevojshme do të bëhen për të ardhmen. Përjashtime të tilla nuk mund të bëhen për sezonin 2016/2017 nëse nuk është bërë asnjë ndryshim.
Ju falënderojmë paraprakisht për bashkëpunimin tuaj në këtë çështje të rëndësishme dhe presim përgjigje nga ju.”
Me respekt,
Kamil Novak
Drejtor Ekzekutiv, FIBA Europe
Siç dihet FBK disa herë ka kërkuar nga autoritetet që të fillojnë punimet në këtë palestër, madje, pas dakordimit me Ministrin e Sportit z. Kujtim Shala, FBK edhe ka përgatitur projektin me qëllim të përshtatjes së infrastrukturës sipas standardeve të FIBA-s dhe e ka dorëzuar këtë projekt në Departamentin e Sportit tash e sa kohë, dhe nga kjo instancë deri më tash nuk ka pasur lëvizje në këtë drejtim.