Skuadra e Borea-s nga Peja ka shënuar fitore në ndeshjen e parë finale të play-off-it të Ligës së Parë, pasi që të dielën në "Karagaçi" e ka mposhtur Dritën nga Gjilani me rezultat 76:68.
Borea tani është një fitore larg sigurimit të titullit të kampionit në Ligën e Parë, me ç'rast edhe e siguron një vend në Superligën e Kosovës që nga edicioni 2017/18.
Duhet theksuar se ekipi pejan në edicionin e rregullt të Ligës së Parë nuk e ka regjistruar asnjë humbje.
Ndeshja e kthimit do të luhet në mesjavë në Gjilan dhe në rast se triumfon Borea atëherë do të shpallet kampione, por nëse fiton Drita, atëherë duhet të shkohet në ndeshjen e tretë në Pejë, atje ku gjithçka do të zgjidhet përfundimisht sa i përket mësimit të emrit të ri të anëtarit të elitës së basketbollit kosovar.
Duhet theksuar se skuadra që do të humbas finalen do të ketë edhe një shans tjetër për të siguruar një vend në Superligë, duke u përballur me Kerasan Prishtinën në ndeshjet e play-out-it.