Të shtunën, ora 17:00 Trepça vs AS Prishtina

12.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA
13.12.2020 SUPERLIGA
12.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT
13.12.2020 SUPERLIGA FEMRAT

Fitore e madhe e Kosovës ndaj Maqedonisë

  • Fitore e madhe e Kosovës ndaj Maqedonisë
3 August 2017

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e ka nisur me fitore fazën e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Kosova të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë para rreth 2000 shikuesve e ka mposhtur Maqedoninë me rezultat 72:68 (23:11, 17:9, 15:23, 17:25).

Basketbollistët tanë e nisën furishëm ndeshjen ku në çerekun e parë e ndalën kundërshtarin në 11 pikë, derisa në anën tjetër ata shënuan pak më shumë se dyfishin (23:11). Edhe çereku i dytë ishte I ngjashëm me të parin, në fakt edhe më furishëm për Kosovën, andaj edhe skuadrat shkuan në pushim me shifrat 40:20.

Por atë që e bënë basketbollistët e Përfaqësueses sonë në pjesën e parë, pothuajse e bënë maqedonasit në të dytën, por as kjo nuk iu mjaftoi mysafirëve, andaj Kosova doli kokëlartë nga Pallati i Rinisë me përkrahjen e parezervë të tifozëve të flaktë “Dardanëve” të cilët për asnjë cast nuk rreshtën së besuari në basketbollistët tanë.

Në çerekun e fundit, më saktësisht në pesë minutat e fundit të tij u zhvillua një luftë e madhe, ku Maqedonia iu afrua edhe në një moment në tri pikë Kosovës, por kjo ishte e tëra, pasi Përfaqësuesja jonë në fund iu gëzua fitores me katër pikë epërsi.

Kosova ndeshjen e radhës në kuadër të fazës së parakualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019” do ta luaj më 9 gusht në Tallinn kundër Estonisë.

Deklaruan pas ndeshjes:

Jordancho Davitkov, përzgjedhës i Përfaqësueses së Maqedonisë:

“Ishte një ndeshje e vështirë. Ne ndoshta e kemi luajtur pjesën e parë më të dobët që prej kohës kur unë e kam marr drejtimin e Përfaqësueses. Kosova në pjesën e parë ia doli të menaxhojë situatën dhe të marr shumë topa nën tabelë, ku pothuajse të gjithë topat nën kosh ata kanë arritur ti marrin dhe kjo është arsyeja pse pas 20 minutave lojë kundërshtari ka udhëhequr me 20 pikë epërsi. Ne e kemi ditur cilat janë armët e forta të Kosovës, por ne sikur “flejtëm” në pjesën e parë. Dardan Berisha pati paraqitje fantastike, ai është një lojtar fantastik dhe një lider i vërtetë. Këtë e dëshmoi sërish sonte kundër nesh. Ne luajtëm shumë më mirë në pjesën e dytë, por të kthehesh prej minus 20 pikëve, në një atmosferë të tillë, sikur kjo që e bënë tifozët e Kosovës ishte më të vërtetë vështirë. Kosova e pati përkrahjen e parezervë të tifozoëve. Gjithçka ishte në mënyrë perfekte sa i përket organizimit, sigurisë dhe pjesëve të tjera teknike në këtë ndeshje”.

Vojdan Stojanovski, basketbollist i Përfaqësueses së Maqedonisë:

“Unë dua t’ia uroj fitoren Kosovës. Ishte vërtetë një ndeshje shumë e vështirë. Në pjesën e parë Kosova ishte e shkëlqyeshme. Ne luajtëm shumë më mirë në 20 minutat e fundit, por nuk ia dolëm deri në fund, pasi që kundërshtari tashmë e kishte krijuar një lloj sigurie, e cila në fund edhe ia solli fitoren”.

Brad Greenberg, përzgjedhës i Përfaqësueses së Kosovës:

“Ky është një start shumë i mirë, por ne duhet të qëndrojmë ‘të uritur’. Me fitoren e sotme, unë besoj se ne treguam se çfarë skuadre jemi në realitet. Pra e kuptuam forcën tonë të vërtetë. Për mua ka qenë një eksperiencë special ta shoh Dardan Berishën duke luajtur në këtë nivel që ai e bëri në këtë ndeshje.

Ne të gjithë në skuadër kemi folur shumë se sa duhet të kemi dëshirë të madhe dhe të fortë, por edhe se ia vlen ta bëjmë një gjë të tillë. Po ashtu ishte shumë  e rëndësishme që ta kuptojmë se kjo ndeshje është e rëndësishme, por edhe se fitorja ka vlerë të madhe. Ne e bëmë këtë dhe kjo është arsyeja pse në fund triumfuam.

Luajtëm shumë mirë në mbrojtje në pjesën e parë, por edhe në sulm ishim mjaft efikas.

Unë jam shumë krenar për çdo anëtar të kësaj skuadre, me të vërtetë ka qenë një natë speciale për të gjithë ne”.

Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësueses së Kosovës:

“Unë jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj që përjetuam që të gjithë sonte. Ka qenë një ëndërr për të gjithë ne që të luajmë në këtë nivel. Ne kemi qenë së bashku tash e një muaj dhe kjo është një arritur e madhe. Unë mund të them se kjo është më shumë se sa një fitore.

Sidoqoftë ndeshja ishte mjaft e vështirë. Kjo edhe ishte arsyeja pse në çastet e fundit ne e përjetuam një rënie, por pjesa e parë, ku luajtëm shumë mirë, na ka motivuar dhe na kanë dhënë vullnet që këtë punë ta çojmë deri në fund.

Pjesa e dytë ishte mjaft e vështirë, por fitorja është më se merituar. Unë mendoj se do të vazhdojmë me fitore edhe në takimet e radhës.

E shfrytëzoj rastin t’i falenderoj të gjithë ata që besuan në ne, e posaçërish i falënderoj tifozët ‘Dardanët’, por edhe të gjithë ata që na përcollën në palestër dhe nëpërmjet televizorit. Jam shumë krenar me gjithë atë që treguam sot në parket”.