Bashkimi ka triumfuar në ndeshjen e parë gjysmëfinale të play-offit në IP Superligën e Kosovës në basketboll duke e mposhtur të enjten mbrëma në Prizren skuadrën e Rahovecit me rezultat 105:79 (28:15, 23:13, 22:20, 32:31).
Më të merituarit për fitoren e prizrenasve ishin Eric Stutz me 24 pikë e 6 kërcime, Mikaile Tmusic me 21 pikë, 10 kërcime e 7 asistime dhe Altin Morina me 19 pikë, 9 kërcime e 6 asistime.
Në anën tjetër te Rahoveci më efikasit ishin Junius Powrell me 17 pikë e 5 asistime, Mark Williams me 17 pikë e 6 kërcime dhe Art Hajdari me 14 pikë, 3 kërcime e 5 asistime.
Në gjysmëfinalen tjetër të luajtur të mërkurën mbrëma në kryeqytet, Sigal Prishtina ishte skuadër më e mirë se Golden Eagle Ylli.
Ndeshjet e dyta gjysmëfinale do të zhvillohen në këtë fundjavë.
Gjysmëfinalet e play-offit zhvillohen sipas formulës 1 vs 4, 2 vs 3. Plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin 3 fitore. Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 2-2-1dhe epërsinë e terrenit vendas e ka ekipi më lartë i plasuar në edicionin e rregullt.
Në finale të play-offit takohen ekipet fituese të gjysmëfinaleve. Kampion i Superligës shpallet ekipi që i pari arrin tri fitore. Finalja e play-offit zhvillohet sipas formatit vajtje – ardhje. Përparësinë e terrenit vendas e ka skuadra që ka qenë më mirë e ranguar në edicionin e rregullt dhe luan si vendas në ndeshjet 1 dhe 3 dhe ndeshjen eventuale 5.