Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore më lehtë se sa që është pritur në ballafaqim me Bashkimin në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Takimi i luajtur të dielën mbrëma në palestrën "13 Qershori" në Suharekë ka përfunduar me rezultat 93:68.
Më të dalluarit te skuadra fituese ishin Robert Jones me 32 pikë, 12 kërcime e 5 asistime, Clayton Terrell me 17 pikë, 6 kërcime e 14 asistime dhe Romelo Banks me 12 pikë e 7 kërcime.
Te ekipi kampion në fuqi më efikasit ishin Jordan Capps me 25 pikë e 6 kërcime dhe Ujkan Karanezi me 16 pikë e 11 kërcime.
Ndërkohë të dielën është luajtur një tjetër ndeshje, ajo në palestrën "Sezai Surroi" në Prizren, ku Ponte Prizreni ka triumfuar me shifrat 84:67 ndaj Lipjanit.
Më të merituarit për fitoren e skuadrës prizrenase ishin Eliot Cole me 23 pikë, 6 kërcime e 5 asistime, Urim Zenelaj me 16 pikë, 13 kërcime e 6 asistime dhe Blend Matoshi me 12 pikë.
Te Lipjani koshashënuesit më të mirë ishin Stacey Lambert me 19 pikë, 6 kërcime e 3 asistime dhe Maurice Williams me 14 pikë e 8 kërcime.