Përfaqësuesja U-20 e Kosovës (meshkujt) është në vlugun e përgatitjeve për Kampionatin Evropian, Divizioni B, Grupi C që do të zhvillohet prej 15 deri më 24 Korrik në Halkida të Greqisë.
Përzgjedhësi i Kosovës, Ilir Selmani dhe ndihmësi i tij, Ilir Selmani janë shprehur të kënaqur me rrjedhën e përgatitjeve të deritashme dhe shpresojnë se kështu do të vazhdojnë deri në start të Kampionatit Evropian.
Ilir Selmani, përzgjedhës i Kosovës U-20:
“Kemi hyrë në fazën e fundit të përgatitjeve, ku do t’i zhvillojmë disa ndeshje miqësore për të parë më për së afërmi formën e lojtarëve tanë. Ka një muaj që kemi filluar me përgatitjet intensive nga dy herë në ditë dhe deri më tani gjërat kanë shkuar sipas planit dhe programit të paraparë. Ende jemi në fazën e selektimit të basketbollistëve, pasi në përbërje i kemi 15 basketbollistë, ndërsa vetëm 12 prej tyre do të jenë pjesë e Kampionatit Evropian. Ndeshjet me Bullgarinë do të jenë shumë të mirëseardhura, pasi që do t’i provojmë të gjithë basketbollistët që i kemi në dispozicion dhe më pas do të vendosim për ata 12 që do të udhëtojnë në Greqi. Ne jemi të vetëdijshëm se grupi është shumë i vështirë pasi që aty janë Britania e Madhe, Greqia, Holanda dhe Shqipëria, por ne premtojmë se do të angazhohemi maksimalisht dhe do të bëjmë më të mirën për të treguar basketboll sa më cilësor. Nëse e realizojmë një gjë të tillë ne besojmë se fitoret nuk do të mungojnë. Kemi mangësi në lojtarët shtatëlartë, por ne synojmë që këtë ta kompensojmë me shpejtësinë e lojtarëve shtatëshkurtër”.
Kampionati Evropiani, Divizioni B/Grupi C