Për herë të parë në Kosovë do të organizohet Kampionati Evropian U-20, Divizioni B, në konkurrencën e femrave.
Ky Evropian do të zhvillohet nga 3 deri më 12 në Prishtinë, ku do të marrin pjesë 12 shtete, derisa priten ndeshje mjaft interesante.
Kosova për herë të parë do të paraqitet me U20 (femrat) në një ngjarje madhore, dhe pikërisht vashat kosovare do të debutojnë në shtëpinë e tyre.
Vashat kosovare janë në grup me Turqinë dhe Rumaninë, ku nuk do ta kenë aspak lehtë, sidomos ndaj Turqisë, megjithatë, synimi është të bëjnë paraqitje të mira dhe të fitojnë përvojë nga ky kampionat.
Kosova që të ketë paraqitje të mirë, po përgatitet intensivisht, derisa vashat kanë ftuar publikun që t’i përkrahin masivisht, sepse përkrahja e tyre është shumë e rëndësishme.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e organizon Evropianin në Prishtinë, me qëllim për të masivizuar basketbollin femëror në Prishtinë.
Ata në bashkëpunim me Kompaninë “Base” kanë xhiruar edhe një reklamë, ku vashat e Kosovës, tregojnë aftësitë e tyre dhe bëjnë thirrje për përkrahje të madhe për Evropianin në Prishtinë.