Të shtunën janë zhvilluar ndeshjet e xhiros së dytë të Ligës së Kadeteve (U-16) në të dyja grupet.
Organizatore e turneut të xhiros së dytë në Grupin A ka qenë skuadra e Dritës së Gjilanit, ku në palestrën “Bashkim Selishta-Petriti” janë luajtur tri ndeshje.
Vushtrria Basket e ka mposhtur ekipin nikoqir me rezultat 61:14, kurse Prishtina ka triumfuar kundër Kastriotit me shifrat 61:49 dhe Trepca ishte më e mirë se skuadra e dytë nga Gjilani, United Basket, të cilën e ka mundur me rezultat 54:10.
Ndërkohë në Grupin B organizatore ka qenë Penza nga Peja, e cila skuadër ka shënuar fitore ndaj ekipit nga Prizreni, Junior 06 në ndeshje mjaft interesante dhe me rivalitet të madh. Ky takim ka përfunduar me shifrat 34:27, derisa ndeshja tjetër, ajo në mes Kalajës dhe New Basket, që të dyja këto klube nga Prizreni, nuk është zhvilluar, për shkak se kjo e fundit nuk kishte udhëtuar fare në Pejë.