Me ballafaqimin në mes Boreas dhe Bashkimit që do të zhvillohet të hënën me fillim nga ora 19:30 në "Karagaçi" të Pejës, do të përmbyllet xhiroja e XXIII e IP Superligës së Kosovës në basketoll.
Ndërkaq në duelet e luajtura në fundjavë fitore kanë regjistruar Trepça në përballje me Kerasan Prishtinën (94:69), Sigal Prishtina dominoi në përballje me Pejën (116:63), si dhe derbi ndërmjet Rahovecit dhe Golden Eagle Yllit përfundoi në favor të "vreshtarëve" me rezultat 97:73 (21:23, 26:22, 27:14, 23:14).
Më të merituarit për fitoren e Rahovecit ishin Mark Williams me 23 pikë, 13 kërcime e 5 asistime, Art Hajdari me 21 pikë, Tyler Deihl me 20 pikë, Mustafë Merovci me 15 pikë e 6 kërcime dhe Muhamed Hasani me 12 pikë, 4 kërcime e 10 asistime.
Në anën tjetër te Golden Eagle Ylli më efikasit ishin Michael Harmon me 17 pikë, Leonard Mekaj me 15 pikë, 4 kërcime e 3 asistime dhe Dragan Sekelja me 15 pikë e 4 kërcime.
Të dy këto skuadra po luftojnë me ngulm për pozitën e tretë dhe pas kësaj fitore Rahoveci është shumë më afër qëllimit.
Rahoveci dhe Golden Eagle Ylli aktualisht i kanë nga 36 pikë, por në ndeshjet e drejtpërdrejta kanë bilanc 3:1.