Një tjetër ndeshje që do të zhvillohet të shtunën në kuadër të xhiros së XXIII në Superligën e Kosovës dhe që zgjon interesim tek adhuruesit e basketbollit kosovar është ajo në “Karagaçi”, ku do të takohen Peja dhe Bashkimi nga Prizreni. Ky takim do të luhet me fillim nga ora 19:30.
Prizrenasit së fundi janë eliminuar nga garat e mëtutjeshme në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL) dhe tashmë gjithë forcën e tyre e kanë fokusuar në garat vendore. Në anën tjetër pejanët janë ende në luftë për një vend në gjysmëfinale të BIBL-it, por pas humbjes nga Kozuv-i kësaj skuadre i janë zbehur dukshëm gjasat për të shpresuar që së bashku me Sigal Prishtinën do të përbejnë dyshen kosovar në këtë ligë.
Sidoqoftë sa herë janë takuar Peja dhe Bashkimi, gjithmonë interesimi ka qenë i madh, por edhe nuk ka munguar rivaliteti në parket, gjë e cila pritet të ndodh edhe në duelin e së shtunës.