Peja e ka mposhtur Teodo-n në Tivat të Malit të Zi në kuadër të xhiros së shtatë të Grupit B në Ligën Ballkanike (BIBL) me rezultat 95:91 në duelin direkt për pozitën e parë në këtë grup. Në këtë mënyrë verdhezinjtë me 5 fitore e 1 humbje kryesojnë në renditjen tabelare me 11 pikë të grumbulluara, aq sa kanë edhe Teodo dhe Bashkimi nga Prizreni, por që të dy këto skuadra e kanë edhe nga një ndeshje më shumë të luajtur.
Çereku i parë ishte pasqyra më e mirë se verdhezinjtë kanë udhëtuar për në Tivat për t’i nxjerr dy pikë dhe për t’u kthyer në Pejë me fitore, të cilën ua kishin premtuar tifozëve të tyre të flaktë “Shqiponjave”. Qysh në minutën e 5-të mysafirët ishin në epërsi prej 12 pikëve (6:18), por më pas vendasit i konsoliduan disa radhët e tyre dhe e ngushtuan rezultatin në 27:35 në minutën e 15-të. Por më pas Peja hyn sërish në një seri pozitive dhe në minutën e 18-të rezultati në semafor shënonte 28:42. Në dy minutat e fundit Teodo bën kthesë sërish në lojë dhe kështu në fund të 20 minutëshit të parë rezultati ishte 41:49 në të mirë të mysafirëve. Çereku i tretë ishte në favor të Pejës, ku edhe i dha një siguri edhe më të madhe, pasi e thelloi avantazhin në 16 pikë (58:74) në minutën e 30-të. Kjo epërsi e thellë ishte edhe një motivim shtesë për verdhezinjtë që të luajnë me një qetësi, por këtë rehati ua prishën kundërshtarët të cilët në çastet e fundit të takimit e ngushtuan rezultatin në 88:91 kur kishin mbetur edhe 16 sekonda lojë. Por në vazhdim pejanët u treguan më të vëmendshëm dhe nuk lejuan ndonjë befasi për ta përmbyllur gjithë ndeshjen në favor të tyre.
Basketbollistët më të dalluar në radhët e Pejës ishin Nenad Deliq me 19 pikë, 7 kërcime e 3 asistime, Drilon Hajrizi me 19 pikë, 9 kërcime e 7 asistime dhe Alban Veseli me 15 pikë, 4 kërcime e 2 asistime. Në anën tjetër te Teodo më efikasit ishin Nikola Vuquroviq me 22 pikë dhe Aaron Mitchell me 19 pikë, 6 kërcime e 6 asistime. Peja më 13 janar të vitit të ardhshëm e pret në “Karagaçi” ekipin nga Bullgaria, Levski 2014. Kjo e fundit të martën mbrëma është deklasuar nga skuadra tjetër kosovare që garon në BIBL, Bashkimi. Prizrenasit më 12 janar në "Sezai Surroi" do të jenë nikoqir të Lovcen Basket nga Cetinje e Malit të Zi në kuadër të xhiros së tetë të Grupit B. Ndërkaq kampionia në fuqi e Ligës Ballkanike, Sigal Prishtina më 13 janar udhëton në Bari për t'u ballafaquar me liderin e Grupit A, Mornar-in.
Teodo-Peja 91:95 (29:17, 20:24, 25:17, 21:33)
Palestra e sportit në Tivat.
Gjyqtarë: I. Dragojeviq, M. Tomov, M. Tsvetkov.
Teodo: Vuquroviq 22, Subotiq 9, Zejak 4, Arsiq 2, Vrbica 16, Mitchell 19, Gjurishiq 9, Angjeliq, Johnson 10, Krivokapiq, Kallugjeroviq, Shariq.
Peja: Veseli 15, Deliq 19, Hajrizi 19, Davis 13, Burwell 15, Mekaj 2, F. Rugova, Grapci 4, Hajdari, S. Zekiqi, Muldrow 8, B. Zekiqi.