Përfaqësuesja e Kosovës të mërkurën në mëngjes do të niset nga Debreceni për në Oradea të Rumanisë, ku të enjten do të përballet me Rumaninë në kuadër Grupit B të parakualifikimeve për Eurobasket 2021.
Basketbollistët tanë prej të shtunës së kaluar janë duke qëndruar në përgatitje të përbashkëta në qytetin hungarez, derisa tashmë skuadra është e kompletuar, por vetëm në mungesë të lojtarit të natyralizuar, amerikanit Malcolm Armstead, i cili është lënduar në fundjavë duke luajtur me ekipin e tij në Superligën e Turqisë, derisa Mikaile Tmusic pritet të bashkohet me ekipin në ndeshjen kundër Maqedonisë më 2 dhjetor në Gjevgjeli.
Kosova më 13 shtator në shtëpi të vet është mposhtur nga Maqedonia me rezultat 76:73, derisa kjo e fundit ka triumfuar edhe ndaj Rumanisë me shifrat 90:76 dhe kështu i prin Grupit B.
Kosova në ndeshjen e fundit në kuadër të kësaj faze parakualifikuese do të përballet me Rumaninë në Prishtinë më 24 shkurt 2019.
Fituesi i këtij grupi do të kualifikohet në kualifikime për Eurobasket 2021 që do të fillojnë në nëntor të vitit të ardhshëm, kurse dy kombëtaret e tjera e kanë edhe një shans tjetër për t'u kualifikuar, por nëpërmjet një raundi shtesë që do të luhet në gusht të vitit 2019.