Pavarësisht gjendjes me pandeminë, Klubi i Prishtinës në konkurrencën e femrave nuk po ndalet. KosovaHome është sponsori i ri, kurse gjithashtu ka vazhduar kontratat me disa nga lojtaret e edicionit të kaluar, si dhe ka rikthyer Gentiana Ismailin. Gjithashtu skuadra prishtinase ka paralajmëruar përforcime tjera.
Trajneri Fidan Shatri ka folur rreth përgatitjeve për edicionin e ri, duke qenë shumë aktiv, edhe pse vendi po përballet me pandeminë Covid-19.
“Që shumë kohë jemi duke u marrë me organizim të skuadrës dhe jemi duke e kompletuar skuadrën per sezonin e ri. Natyrisht që situata me Covid-19 na ka ndërprerë edhe planin që kemi pasur që gjatë verës të punojmë me gjenerata te reja, pra me lojtare që janë e ardhmja e basketbollit të femrave.
Fokusi kryesor do të jetë ngritja e cilësisë së lojtareve që janë më të reja, si dhe hap pas hapi të krijojmë filozofinë e lojës me prurjet e reja që janë në skuadër”, është shprehur Shatri për faqen zyrtare të FBK-së.
Ai ka paralajmëruar tjera përforcime, por shpreson se do të marrin dritën e gjelbër për lejimin e stërvitjeve. “Kemi vazhduar me disa lojtare kontratat që kanë qenë pjesë vitin e kaluar, me disa jemi në bisedime dhe një apo dy lojtare do të jenë prurje që nuk kanë qenë më herët pjesë e skuadrës. Gjithashtu pjesë e skuadrës do të jenë edhe dy lojtare që janë të reja në moshë, që janë e ardhmja e basketbollit në vendin tonë, pasi që me vite ju kemi dhënë hapësirë dhe mendoj që jemi në drejtim të duhur.
Shpresoj që shumë shpejt Qeveria e Kosovës do të hap palestrat, pasi që jemi i vetmi shtet në Ballkan dhe Evropë, që nuk jemi duke punuar.
Falënderoj sponsorin KosovaHome për mbështetjen që po i jep klubit dhe besoj që së bashku do të bëhet punë e mirë në ngritje të nivelit të basketbollit të femrave”, theksoi Shatri.
Skuadra e Prishtinës edicionin e kaluar për herë të parë mori pjesë në FIBA Eurocup Women, që gjithashtu ishte hera e parë për një skuadër nga Kosova pjesëmarrëse në këtë garë.