Basketbollistët e Kosovës U-18 të mërkurën kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në Prishtinë, para udhëtimit drejt Rumanisë, ku do të marrin pjesë në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që mbahet nga 26 korriku deri më 4 gusht.
Synimi i Kosovës është të tregojë ndeshje të mira dhe të ketë përfaqësim sa më të mirë. Lojtarët kanë stërvitur maksimalisht dhe janë të motivuar për këtë Evropian.
Përzgjedhësi i Kosovës U18, Gyltekin Selimi, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Jemi stërvitur maksimalisht për këtë Evropian, me shpresën se do të tregojmë lojëra sa më të bukura dhe të përfaqësojmë shtetin sa më denjësisht në këtë garë shumë të rëndësishme. Lojtarët janë të motivuar dhe do të japim maksimumin në çdo ndeshje. Këtë mund ta premtojmë”, ka thënë Selimi për faqen zyrtare të FBK-së.
Ndeshja e parë do të jetë të premten ndaj Hungarisë. “Nuk do të jetë aspak lehtë, sepse Hungaria ka një ekip shumë të mirë. Kosova është në nivel me Portugalinë dhe Austrinë. Gjithsesi çdo ndeshje do t’i qasemi me profesionalizëm të madh. Ne i dimë forcat tona”, theksoi tutje Selimi.
Dardanët e rinj ndodhen në një grup me Bjellorusinë, Suedinë, Hungarinë, Austrinë dhe Portugalinë.
Gjatë përgatitjeve Kosova ka zhvilluar miqësore me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Me kuqezinjtë kanë fituar, derisa pësuan nga Maqedonia e Bullgaria, edhe pse treguan ndeshje të mira.
Selimi në fund ka shpallur edhe 12-shen për Evropian.
Lista
Erhan Sholla
Donat Rexhepi
Albin Berisha
Drilon Shala
Don Polloshka
Enis Morina
Endtrit Berisha
Drin Krasniqi
Donat Musa
Rron Thaqi
Leonit Veliu
Bardh Rexha
Ndihmëstrajnerë: Arianit Morina dhe Laurant Ibrahimi