Sigal Prishtina e ka siguruar një vend në finalen e madhe të play-offit në IP Superligën e Kosovës, kjo pasi e ka mposhtur Golden Eagle Yllin edhe në ndeshjen e tretë gjysmëfinale.
Takimi i luajtur të enjten mbrëma në palestrën "13 Qershori" në Suharekë ka përfunduar me rezultat 78:68 (14:18, 22:15, 22:21, 20:14).
Më të merituarit për fitoren e Sigal Prishtinës ishin Filip Bundoviq me 31 pikë e 7 kërcime, Fisnik Rugova me 14 pikë, 6 kërcime e 5 asistime, Granit Rugova me 12 pikë, 4 kërcime e 4 asistime dhe Edmond Azemi me 10 pikë e 7 kërcime.
Në anën tjetër te Golden Eagle Ylli më të dalluarit ishin Artin Gashi me 18 pikë e 4 kërcime, Alexis Wangmene me 12 pikë e 11 kërcime, Leonard Mekaj me 11 pikë, 5 kërcime e 8 asistime dhe Michael Harmon me 11 pikë e 4 asistime.
Duhet theksuar se Bashkimi të mërkurën është kualifikuar për në finale, duke e mposhtur Rahovecin në tri ndeshjet gjysmëfinale dhe tani pritet që në finalen e madhe të takohen me Sigal Prishtinën.