Sigal Prishtina ka arritur në finalen e radhës të ETC Superligës duke e mposhtur Trepçën edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Play-Offit.
Ekipi i Marin Dokuzovskit ka qenë në disavantazh në fund të çerekut të tretë dhe vetëm në çerekun e fundit ka kthyer rezultatin në të mirë të vetin për të shënuar fitore me rezultat përfundimtar 82-90, duke e bërë rezultatin e përgjithshëm 0-2 për tu kualifikuar në finale.
Dardan Berisha me 35 pikë të shënuara ka qenë basketbollisti më efikas i ndeshjes dhe i ekipit të tij, derisa te Trepça është dalluar spanjolli Alvaro Calvo që ka regjistruar 24 pikë për ekipin e tij.
Sigal Prishtina në finale të ETC Superligës për këtë stinor pret fituesin e duelit Peja-Bashkimi, ku finalisti do të përcaktohet në ndeshjen e së dielës.