Sigal Prishtina është mysafire e Kozuv-it në Gjevgjeli të Maqedonisë, ndeshje kjo që do të zhvillohet të mërkurën me fillim nga ora 19:00 dhe i takon xhiros së pestë të Grupit A të Sigal Uniqa Ligës Ballkanike (BIBL).
Në duelin e parë të zhvilluar në Prishtinë ndërmjet këtyre dy skuadrave fitore patën regjistruar bardhekaltrit me rezultat 88:60.
Kampionia në fuqi e BIBL-it, Sigal Prishtina në kuadër të këtij grupi nga 3 ndeshje të luajtura ka shënuar 2 fitore e 1 humbje duke grumbulluar kështu 5 pikë, 3 më pak se lideri Mornar-i nga Mali i Zi, por që kjo skuadër e ka një ndeshje më shumë të zhvilluar, derisa nuk e ka pësuar asnjë humbje.
Pas largimit të trajnerit Marjan Ilievski dhe plejmejkerit, Khalid El-Amin si dhe disfatës së fundjavës së kaluar nga Peja në Superligën e Kosovës, Prishtina do të kërkoj me ngulm që nga Gjevgjelia të kthehet me fitore dhe kështu të këndellet pas një serie negative.