Sigal Prishtina e ka mposhtur Bashkimin për herë të dytë në këtë edicion të IP Suprligës së Kosovës në basketboll.
Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren ka përfunduar me rezultat 71:61 (19:20, 20:14, 15:11, 17:16).
Fillimi i ndeshjes ishte i barabartë, e këtë e dëshmon më së miri rezultati në çerekun e parë 20:19 në të mirë të nikoqirëve, ndërsa në dhjetëminutëshin e dytë ishin mysafirët që treguan lojë më të mirë (20:14) dhe pas 20 minutave lojë rezultati shënonte 39:34. Në çerekun e tretë ishte Sigal Prishtina që u tregua skuadër më e mirë, përderisa në dhjetëminutëshin e fundit pavarësisht faktit se rezultati ishte i ngushtë në këtë pjesë të lojës, ishin bardhekaltrit ata që triumfuan me 10 pikë dallim.
Më i dalluari te Sigal Prishtina ishte Dardan Berisha me 26 pikë, 6 kërcime e 2 asistime, ndërsa te Bashkimi më efikasi ishte Adrian Motley me 27 pikë, 5 kërcime e 2 asistime.
Duhet theksuar se dy ndeshjet tjera të xhiros së VIII-të të IP Superligës së Kosovës do të luhen të dielën ku në “Karagaçi”, Peja është nikoqire e Trepçës me fillim nga ora 16:00, kurse duke filluar nga ora 18:00 në Gjakovë, Rahoveci është nikoqir i Borea-s.
Në të dyja këto dy takime pritet që rivaliteti të jetë i madh, derisa në xhiron e parë të elitës së basketbollit kosovar, Rahoveci pati triumfuar kundër Borea-s, ndërsa Peja ishte më e mirë se Trepça.
Ndërkaq ndeshja tjetër e kësaj xhiroje Golden Eagle Ylli-Kerasan Prishtina është zhvilluar të enjten dhe ka përfunduar me fitore të therandasve.