Të mërkurën me fillim nga ora 19:00 në palestrën e sportit “Sezai Surroi” në Prizren do të zhvillohet ndeshja e katërt finale e play-off-it të Superligës së Kosovës në basketboll, ku do të takohen Bashkimi dhe Sigal Prishtina.
Aktualisht në serinë finale është duke udhëhequr Sigal Prishtina me 2:1, dhe në rast se triumfon të mërkurën mbrëma në Prizren, atëherë do të shpallet për herë të 12-të kampione e Kosovës që nga paslufta.
Në anën tjetër në rast se triumfon Bashkimi, atëherë do të barazohet seria finale dhe kështu do të jetë ndeshja e pestë në kryeqytet ajo që do ta përcaktojë fituesin e titullit të kampionit për edicionin 2016/2017.
Bashkimi asnjëherë nga paslufta nuk ka arritur të stoliset me titullin e kampionit dhe ky është shansi më i mirë që ta bëjë një gjë të tillë, derisa dy herë është plasuar në finale.
Ashtu si edhe në ndeshjen e dytë finale në Prizren ku të pranishëm në palestër ishin rreth 2000 shikues në palestër, dhe atë nga të dyja taboret, e njëjta gjë pritet të ndodh edhe të mërkurën dhe në këtë mënyrë pritet që të kemi festë dhe spektakël basketbolli për adhuruesit e këtij sporti.
Kampione në fuqi është Sigal Prishtina, skuadër kjo që në këtë edicion e ka fituar edhe trofeun e Kupës së Kosovës, duke e mundur në finale ekipin e Pejës.