Pikët e para në palestrën e rinovuar "Minatori" të shtunën mbrëma i ka shënuar basketbollisti më i mirë kosovar, Dardan Berisha i Sigal Prishtinës, ndërsa është kundëpërgjigjur me një dypikësh Altin Gashi i Trepcës dhe më pas gjithcka ka shkuar në favor të mysafirëve nga kryeqyteti, të cilët e fituan këtë ndeshje me rezultat 87:58, që i ka takuar xhiros së XXIII në Superligën e Kosovës.
Në fakt edhe para ndeshjes ka qenë më se e qartë se rezultati i këtij dueli është në plan të dytë dhe se gjithcka do t'i kushtohet spektaklit për nder të rikthimit në palestër të "minatorëve" pas rreth katër vjetësh rinovimi në të.
Duhet theksuar se drejtuesit e Trepcës ishin përkujdesur që gjithcka të shkonte ashtu sic duhet në këtë ndeshje, ndërsa rreth 2000 tifozë mitrovicasë të pranishëm në palestër u përkujdesën për të krijuar atmosferë të zjarrtë, mu ashtu sic e kanë bërë për vite të tëra që nga paslufta.
Trepca u pati shpallur kampione dhe fituese e Kupës në vitin 2012 dhe që nga atëherë kanë munguar sukseset në këtë klub.
Pas ndeshjes trajneri i Trepces, Neven Plantak ka thënë se ky rezultat është më se real duke marr parasysh dallimin në buxhet të të dyja ekipeve: "Është normale e gjithë kjo, kur dihet cfarë buxheti dhe cfarë kushte ka Prishtina në krahasim me ne. Ky është realiteti. Sidoqoftë i falenderoj tifozët për atmosferën e krijuar dhe për mbështetjen e dhënë ekipit gjatë gjithë kohës. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të mendojmë seriozisht për pozitën e katërt që na dërgon në garat shtesë".
Në anë tjetër trajneri i Prishtinës, Antonis Costantinides pas takimit ka deklaruar: "Ne duam të fitojmë në cdo ndeshje, andaj edhe në Mitrovicë erdhëm për të fituar. Nuk e kemi regjistruar asnjë humbje në të gjitha garat gjatë vitit 2016 dhe kështu duam të vazhdojmë deri në përmbyllje të edicionit".
Basketbollisti më i dalluar në radhët e bardhekaltërve ishte Dardan Berisha me 30 pikë, kurse Andrew Warren ka kontribuar me 22 sosh, derisa te mitrovicasit më efikasi ishte Besnik Azemi me 16 pikë.