Sot me fillim nga ora 18:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të zhvillohet ndeshja e tretë finale në IP Superligën e Kosovës në basketboll, ku Sigal Prishtina e pret Bashkimiin nga Prizreni.
Aktualisht skuadra nga Prizreni është duke udhëhequr në seri 2:0 dhe është vetëm një fitore pranë titullit të kampionit në elitën e basketbollit kosovar, në këtë mënyrë edhe të parit që nga paslufta.
Në ndeshjen e parë të luajtur në kryeqytet Bashkimi ka triumfuar me rezultat 84:81, kurse në takimin e dytë të zhvilluar në Prizren, Bashkimi ka shënuar fitore me shifrat 97:80.
Sigal Prishtina është kampion në fuqi, derisa në këtë edicion e ka fituar Kupën e Kosovës, duke e mposhtur në finale pikërisht Bashkimin.
Duhet theksuar se në rast se Bashkimi do të shpallet kampion i Kosovës, ky do të ishte trofeu i dytë i basketbollit që shkon në Prizren, pasi në konkurrencën e femrave ishin basketbollistet prizrenase ato që javë më parë u stolisën me titullin e kampionit, duke e kthyer kështu këtë trofe pas shtatë vjetësh në Prizren.