Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, të hënën në zyrat e FBK-së janë takuar me drejtuesit e Shoqatës së Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës.
Zyrtarët e FBK-së kanë dhënë mbështetjen e tyre për Shoqatën e Trajnerëve, derisa në këtë takim është biseduar për përgatitjet për sistem të edukimit formal të FIBA-s, me përkrahje nga shtëpia e basketbollit botëror.
Kjo është përkrahje e radhës nga FIBA për sistemin e licencimit dhe edukimit të trajnerëve.
Edukimi i trajnerëve dhe licencimi i tyre është shumë i rëndësishëm për Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe këtë e ka potencuar në takim edhe i pari i basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu.
FBK-ja në vitet e fundit ka mbajtur shumë seminare me trajnerë, njëkohësisht edhe disa trajnerë vendorë janë shkolluar në programet e FIBA-s.