Skuadra e Vëllaznimit nga Gjakova është shpallur kampione e Kosovës për grupmoshën U-18.
Basketbollistët e ekipit gjakovar kanë triumfuar edhe në ndeshjen e dytë finale ndaj Riinvest Prishtinës dhe kështu janë shpallur kampion të Kosovës.
Në takimin e luajtur të martën mbrëma në palestrën e sportit “Shani Nushi” në Gjakovë njëra pjesë i takoi prishtinasve, kurse tjetra, ajo përcaktuesja u takoi gjakovarëve. Ndeshja e dytë finale ka përfunduar me rezultat 63:60, derisa ajo e para e luajtur në fundjavën që e lamë pas në kryeqytet po ashtu i ka takuar Vëllaznimit me shifrat 70:68.
Medaljet skuadrave finaliste ua ndanë u.d. Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe ish-anëtari i Bordit të FBK-së, tani anëtar i Këshillit Mbikqyrës, Mentor Rruka.
Ndërkaq trofeun kapitenit të ekipit të Vëllaznimit, Atik Koshit ia ka dorëzuar Dushku.