Bordi i FBK-së në mbledhjen e mbajtur më 21.12.2015, në të cilën morën pjesë Erolld Belegu, Kryetar, nënkryetari Shaqir Totaj dhe anëtarët, Arben Fetahu, Arben Fondaj, Bekim Dugolli, Besim Braha, Kimete Haliti, Learta Berisha, Mentor Rruka, Valdet Spahija, Valton Bilalli, shqyrtoi pikat e rendit të ditës të caktuara paraprakisht dhe miratoi këto:
VENDIME
1. Bordi pranoi raportin e Komesarit të Garave për pjesën vjeshtore të edicionit 2015/16, mirëpo vendosi që për këtë raport dhe analizën e kësaj pjese të edicionit të diskutohet në mbledhjen e ardhshme që do të mbahet në janar, para fillimit të pjesës së dytë të edicionit.
2. Bordi themeloi Komitetin Ekzekutiv të FBK-së. Anëtarë të këtij Komiteti janë kryetari Erolld Belegu, sekretari i përgjithshëm Leart Hoxha dhe anëtarët e Bordit, Arben Fetahu dhe Valton Bilalli.
3. Bordi u informua për situatën aktuale financiare në FBK dhe shkallën e zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit me MKRS-në. Bordi vendosi që të ndihmojë financiarisht klubet e Superligës dhe Ligës së Femrave me shumën prej 600,00 Eurosh për secilin klub që ofron dëshmi për shpenzimet e bëra në këtë shumë deri të enjten, më 24.12.2015 në ora 16:00. Detajet për kushtet e transferimit të këtyre mjeteve klubeve do t’u dërgohen më 22.12.2015.
4. Bordi i FBK-së analizoi dhe miratoi Planin e Punës dhe Planin Financiar për vitin 2016 të paraqitura nga kryetari Erolld Belegu dhe miratoi të dyja këto dokumente.
5. Bordi u njoftua zyrtarisht për planet e strukturimit të Përfaqësueses A të Kosovës, përfshirë negociatat me kandidatët për Përfaqësuese dhe u dakordua që publikimi i përbërjes së shtabit teknik të bëhet pas datës 22 janar 2016, kurse selektori/menaxheri i Përfaqësueses A të fillojë zyrtarisht punën më 01 shkurt 2016.
6. Bordi u njoftua për organizimin e Klinikës së FIBA-s për gjyqtarë perspektivë në muajin shkurt në Prishtinë. U vendos që gjyqtarët kosovarë që do të marrin pjesë në Klinikë të nominohen dhe të dërgohen për miratim të FIBA-s pas testimit fizik dhe torik, të paraparë për datën 09.01.2016.
7. Bordi miratoi kalendarët e garave për pjesën e dytë të edicionit 2015/16 të propozuara nga Komesari i Garave.