Kryesia e klubit të basketbollit Rahoveci dhe Federata e Basketbollit të Kosovës janë në vlugun e përgatitjeve për Final 8 të Kupës së Kosovës
Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku e shoqëruar edhe nga Komesari i Garave, Faton Kurshumlija, dhe përgjegjësja nga FBK për organizimin e Final 8 të Kupës së Kosovës, Artina Hasani të shtunën e kanë vizituar KB Rahovecin, me ç’rast janë takuar me kryesinë e kësaj skuadre për të bërë edhe inspektimin final si FBK para fillimit të Final 8 të Kupës së Kosovës.
Zyrtarët e FBK-së u ndanë shumë të kënaqur me gjithë punën e bërë nga KB Rahoveci, Komuna e Rahovecit në krye me kryetarin Smajl Latifi dhe operatorin, kompaninë Euroing.
Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së:
“Ashtu siç edhe kemi besuar nga dita e parë kur edhe ia kemi besuar organizimin KB Rahoveci edhe ka ndodhur, pra kryesia e kësaj skuadre e ka dhënë maksimumin e saj për tu përgatitur sa më mirë, normalisht edhe me ndihmën e pashoq të kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili po ashtu ka besuar shumë në këtë projekt, pra në përfundimin e palestrës në Rahovec. Ne si FBK jemi shumë të lumtur që kemi rastin të shohim një palestër të re në Kosovë dhe aq më shumë në Rahovec, pasi që kryesia e këtij klubi, por edhe basketbolldashësit në këtë qytet e meritojnë një palestër të tillë. Tani na mbetet që ti përfundojmë edhe disa punë teknike së bashku me KB Rahovecin rreth organizimit të Final 8 të Kupës së Kosovës dhe besojmë fuqishëm se spektakli do të jetë i pranishëm në këtë palestër për pesë ditë sa do të zgjas ky aktivitet”.
Final 8 i Kupës së Kosovës do të organizohet prej 27 shkurt deri më 3 mars në Rahovec, ndërsa hapja solemne e këtij eventi, dhe inaugurimi i palestrës “Mizahir Isma” do të bëhet më 27 shkurt në ora 18:15.
Konferencën e fundit para fillimit të Final 8 të Kupës së Kosovës, FBK dhe KB Rahoveci do ta organizojnë ditën e martë. Për orën dhe vendin e mbajtjes, FBK do të njoftojë opinionin të hënën.