Delegacioni i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) i kryesuar nga kryetari Erolld Belegu, në të cilin ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Leart Hoxha dhe anëtarët e Bordit Arben Fetahu e Valton Bilalli janë pritur të martën nga kryetari i Federatës së Basketbollit të Maqedonisë (FBM), Petar Naumovski me bashkëpunëtorët, sekretaren e përgjithshme, Monika Gavrilovska dhe drejtorin e Përfaqësueseve, Zare Markovski.
Në një takim miqësor dhe shumë konstruktiv, të dyja federatat janë dakorduar në parim për orarin e aktiviteteve verore.
Në takim është arritur marrëveshja që Kosova dhe Maqedonia të zhvillojnë ndeshje miqësore me Përfaqësueset e të gjitha grupmoshave dhe në të dyja konkurrencat.
Orari i ndeshjeve do të bëhet publik me kohë. Po ashtu federatat janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin në fushat e tjera.
FBK do të dërgojë një person nga stafi i saj në Kampionatin Evropian U-18 Divizioni B (meshkujt) që do të zhvillohet në Shkup prej 29 korrikut deri më 7 gusht 2016, me qëllim vëzhgimin nga afër të një organizimi të tillë.