Arben Fetahu është zgjedhur kryetar i ri i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të organizuar të enjten mbrëma në sallën e konferencave “Orion” në Prishtinë.
Fetahu ka fituar 22 vota, ndërsa kundër kandidati i tij Artan Rugova është votuar nga 18 delegatë.
Deri te organizimi i Kuvendit të Jashtëzakonshëm të FBK-së erdhi pas dorëheqjes nga pozita e kryetarit, të Erolld Belegut.
Belegu ka dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit të FBK-së pasi që Agjencia Kundër Korropsion ia kishte dërguar opinionin e saj ku thuhet se “ushtrimi i funksionit kryetar të FBK-së krahas ushtrimit të funksionit-Këshilltar i Jashtëm të Kryeministrit të Republikës së Kosovës është i ndaluar”.
Arben Fetahu, kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës:
“Atë që e kam deklaruar si kandidat, do të vazhdoj ta jetësoj si kryetar. Prioritetet e basketbollit tonë do t’i realizojmë të gjithë së bashku. Falënderoj ata që votuan për mua, që patën besim tek unë, por edhe për ata që votuan për kandidatin tjetër. Është mirë që Federata e Basketbollit të Kosovës i pati dy kandidatura të mira. Që nga dita e premte do t’i përkushtohem maksimalisht detyrës së re dhe shpresoj që do ta arsyetojë besimin e dhënë”.