Federata e Basketbollit e Kosovës dhe kompania Auto Mita kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi sipas së cilës Auto Mita është partner zyrtar i FBK-së për transport.
Kompania më e madhe vendore e auto industrisë Auto Mita i bashkohet kështu listës së sponsorëve dhe partnerëve të FBK-së që ndihmojnë basketbollin kosovar në një nga periudhat e tij më të lavdishme.
Marrëveshja u bë publike në një konferencë për media të mbajtur në lokalet e kompanisë Auto Mita.
Sipas kësaj marrëveshjeje FBK-së i jepet në shfrytëzim një automobil Renault Twingo për nevoja të stafit dhe zyrtarëve të FBK-së, kurse Auto Mita parashihet të mbulojë edhe transportin dhe logjistikën në ngjarjet ndërkombëtare që organizon FBK-ja, turnetë e basketbollit nën ombrellën e FBK-së dhe transportin e mysafirëve VIP që vizitojnë FBK-në.
Përfaqësuesi i kompanisë Auto Mita, Zgjim Mita para gazetarëve ndër të tjera pohoi: “Për ne është kënaqësi e veçantë që të përkrahim punën e FBK-së pas pranimit të tyre në FIBA, kur nevoja për partnerë është më e madhe. Duke qenë kompania më e madhe vendore e industrisë së automobilave, ne konsiderojmë se duhet të jemi prezent edhe në këtë mënyrë në sport dhe këtë bashkëpunim e bëjmë me kënaqësi sepse i përcjellim sukseset e FBK-së nën udhëheqjen e z. Belegut”.
Në anën tjetër, Kryetari i FBK-së Erolld Belegu pas zyrtarizmit të kësaj marrëveshjeje pohoi: “Auto Mita tash shndërrohet në partner të rëndësishëm për ne. Automobili zyrtar i FBK-së, Renaul Twingo i gjeneratës së re do ta lehtësojë shumë punën tonë të përditshme, kurse roli i Auto Mitës në ngjarje dhe turne që ne organizojmë do të jetë shumë i rëndësishëm.
Shpresoj që të dyja palët do të ndahen të kënaqura me këtë marrëveshje”.
FBK pritet që të organizojë një manifestim me rastin e pranimit në FIBA gjatë ditëve të ardhshme, ku presim edhe ardhjen e zyrtarëve ndërkombëtare të basketbollit.