Ndeshjet çerekfinale në “Oso Termosistem Final 8” të Kupës së Kosovës po priten me interesim të madh. Të gjitha takimet pritet të jenë mjaft interesante.
Njëra ndër to është edhe Bashkimi-Feronikeli, që zhvillohet të mërkurën nga ora 16:30 në “Mizahir Isma” në Rahovec.
Trajneri i Bashkimit, Illmen Bajra, ka folur për synimet e prizrenasve në këtë garë. “Jemi në përgatitje e sipër, sepse kemi edhe një ndeshje në Superligë. Jemi duke i njohur të gjithë kundërshtarët e mundshëm për Final 8. Besoj se synimet e skuadrës janë të arrijë sa më lartë. Duke marrë parasysh që Kupa është mundësia më e mirë dhe më e shpejtë për tu stolisur me një trofe, do të japim maksimumin për të arritur një gjë të tillë”, është shprehur Bajra për faqen zyrtare të FBK-së.
Kjo është hera e dytë radhazi që Final 8 i Kupës do të organizohet në Rahovec, ku priten sfida shumë interesante dhe atmosferë të jashtëzakonshme.