Basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, amerikani Scott Bamforth me ekipin e tij Dominion BB është mundur nga Andorra me rezultat 85:81 në kuadër të xhiros së pestë të elitës së basketbollit spanjoll. Bamforth ka qenë ndër më efikasit te ekipi i tij, me 13 pikë të shënuara, aq sa ka realizuar edhe Alex Mumbru, ndërsa Micheal Eric ka shtuar 14 pikë dhe Jonathan Tabu ka kontribuar me 12 sosh, por që nuk kanë mjaftuar për t'ia siguruar skuadrës së tyre fitoren në përballje me Andorran.
Ndërkohë ylli i Barcelona-s dhe anëtari i Përfaqësueses së Kosovës, Justin Doellman ka pësuar një lëndim në ndeshjen kundër Fenerbahce-s në kuadër të Euroleague-s, duel të cilin katalunasit e kanë humbur me rezultat 73:72.
Sipas mediave spanjolle Doellman në pjesën e parë të ndeshjes kundër klubit turk ka përjetuar ndrydhje të shkallës së dytë në kyçin e këmbës së majtë, ndërsa pas disa testeve në detaje që do të kryhen nga ekipi mjekësor i Barcelona-s do të dihet saktësisht për sa kohë do t’i mungoj amerikani skuadrës katalunase. Doellman pas largimit nga parketi nuk ka qenë më në gjendje të ndihmoj ekipin e tij, i cili në fund pësoi disfatë me vetëm një pikë dallim nga skuadra turke.
Ndërkaq Dardan Berisha ka realizuar 12 pikë në humbjen e ekipit të tij Polfarmex Kutno nga AZS Koszalin me rezultat 81:57 në kuadër të xhiros së tretë në elitën e basketbollit në Poloni.