Kosova e Re Bashkimi ka shënuar fitore ndaj Pejës në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të “play-off”-it në ETC Superligën e Kosovës dhe kështu tani është barazuar rezultati në seri 1:1. Takimi i luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren ka përfunduar me shifrat 85:80 (22:19, 16:15, 22:26, 25:20) në të mirë të nikoqirëve.
Më efikasit te Bashkimi ishin Dawson me 31 pikë, Tuljkovic me 30 dhe Streeter me 16 pikë. Në anën tjetër te Peja më së shumti pikë kanë realizuar Hajrizi, 31 sosh dhe Wise, 17.
Në duelin e parë të luajtur të dielën që e lamë pas në “Karagaçi” , Peja nuk ka hasur në vështirësi për ta mposhtur Bashkimin ndaj të cilës skuadër ka triumfuar me shifrat 109:81, por në takimin e sotëm prizrenasit u mobilizuan maksimalisht për të befasuar pejanët dhe kështu në fund ia dolën ta realizojnë misionin e tyre.
Njëherësh kjo është humbja e parë e verdhezinjve nga portokallinjtë në edicionin 2014/15.
Duhet theksuar se në bazë të propozicioneve të garave për edicionin 2014/15 plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin 3 fitore. Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 1 – 2 – 2, që do të thotë ekipi më lartë i plasuar e ka epërsinë e terrenit vendës dhe luan si vendës në ndeshjen e parë dhe ndeshjet eventuale 4 dhe 5.