Bashkimi ka triumfuar ndaj Pejës në ndeshjen e xhiros së fundit (28) dhe me këtë rast e ka siguruar edhe pozitën e dytë në renditjen tabelare të Superligës së Kosovës në basketboll.
Prizrenasit kanë shënuar fitore me rezultat 92:81 (22:19, 13:19, 25:21, 32:22) në ndeshjen që është luajtur të martën mbrëma në palestrën "Karagaçi".
Më të dalluarit te portokallinjtë ishin Kayel Locke me 26 pikë, 5 kërcime e 2 asistime, Garrius Adams me 20 pikë, 8 kërcime e 2 asistime, Temi Soyebo me 15 pikë, 8 kërcime e 14 asistime dhe Gazmend Sinani me 11 pikë, 16 kërcime e 4 asistime.
Te Peja më efikasit ishin Arian Qallakaj me 30 pikë, 11 kërcime e 3 asistime, Robert Abramovic me 24 pikë, 3 kërcime e 3 asistime dhe Arti Hajdari me 13 pikë, 4 kërcime e 4 asistime.
Kështu Bashkimi do të nis garat e “play-off”-it nga vendi i dytë dhe në gjysmëfinale do të përballet pikërisht me Pejën. Skuadra që shënon tri fitore do të plasohet në finalen e madhe. Në anën tjetër, çifti tjetër gjysmëfinal është Sigal Prishtina – Trepça.