Mornar-i e ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në Grupin C në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL). Ekipi nga Bari të martën mbrëma ka qenë mysafir i Bashkimit në Prizren, të cilën skuadër e ka mposhtur me rezultat 80:74 pavarësisht faktit se pothuajse gjatë gjithë ndeshjes malazezët kanë qenë në disavantazh karshi prizrenasve. Ndeshja në fund u bë mjaft interesante dhe kështu gjithçka u vendos në 25 sekondat e fundit. Të dyja klubet kanë luftuar shumë fortë dhe që të dyja e kanë merituar fitoren. Megjithatë përvoja ishte në anën e Mornar-it dhe kjo gjë luajti rol të rëndësishëm në fund të takimit, andaj malazezët e shënuan një tjetër triumf në rrugën e tyre drejt gjysmëfinales në Ligën Ballkanike.
Tani për t'u kualifikuar për në TOP 4, Mornar-i duhet të mposht Teodo-n në shtëpi në xhiron e fundit. Skuadra nga Bari mund të kualifikohet edhe nëse pëson humbje, por në të njëjtën kohë duhet që Beroe të regjistroj disfatë në Prizren.
Në anën tjetër Bashkimi 100% është eliminuar nga garat e mëtutjeshme në BIBL dhe do të luaj ndeshjen e fundit vetëm për krenari, atë ndaj Beroe-s sërish në “Sezai Surroi”.
Lamont Jones ishte koshashënuesi më i mirë te Mornar-i me 25 pikë e 7 asistime, kurse Robert Sampson ka kontribuar me 16 pikë e 10 kërcime dhe Balsa Radunoviq me 14 pikë e 10 kërcime.
Te Bashkimi më efikasit ishin Rokas Uzas me 20 pikë dhe Tay Waller me 19 pikë, 12 kërcime e 7 asistime.