Bashkimi nga Prizreni përfundimisht e ka siguruar një vend në fazën e dytë të garave në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL). Prizrenasit të martën mbrëma në shtëpi të vet e kanë mposhtur ekipin nga Cetinje e Malit të Zi, Lovcen Basket me rezultat 95:61 dhe kështu e kanë përmbyllur pjesën e rregullt të edicionit në Grupin B të BIBL me 5 fitore e 3 humbje.
Mysafirët e kanë nisur ndeshjen mjaft mirë, derisa në një moment të cerekut të parë kanë udhëhequr edhe me 7 pikë epërsi. Megjithatë nikoqirët janë kundërpërgjigjur shpejtë dhe e kanë zvogëluar disavantazhin në vetëm 1 pikë në fund të dhjetëminutëshit të parë.
Në cerekun e dytë gjërat ndryshuan në favor të prizrenasve, të cilët shkëlqyen në këtë pjesë të lojës duke shënuar 32 pikë dhe duke luajtur mbrojtje të forte, e cila i kufizoi malazezët në vetëm 2 pikë. Kjo do të thotë se vendasit kishin 29 pikë dallim pas 20 minutave lojë dhe në këtë mënyrë deri në fund të ndeshjes ia dolën ta kontrollojnë ritmin për ta përmbyllur gjithë duelin me 34 pikë epërsi.
Marcel Jones pati edhe një tjetër paraqitje të mirë për Bashkimin me 32 pikë, 9 kërcime, 7 asistime e 5 topa të vjedhur, kurse Granit Rugova ka kontribuar me 20 pikë dhe Theron Bussey ka shtuar 18 pikë e 6 asistime.
Te Lovcen-i më së shumti pikë kanë shënuar Ratko Petriq dhe Mikaile Tmushiq me nga 11 pikë secili.