Bashkimi ka realizuar fitore shumë të rëndësishme në Grupin A në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL).
Portokallinjtë kanë triumfuar të hënën mbrëma kundër skuadrës kampione të Ligës Ballkanike, Sigal Prishtinës në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren me rezultat 85:74 (17:25, 27:12, 21:20, 20:17).
Mysafirët ishin më të mirë në fillim të takimit, por më pas energjia e lojtarëve nikoqirë i ndryshoi gjërat në parket dhe kështu në fund ata shënuan fitore mjaft të rëndësishme në këtë fazë të kësaj gare.
Për Bashkimin kjo është fitorja e dytë radhazi në Grupin A në BIBL pas katër humbjeve të njëpasnjëshme, derisa për Sigal Prishtinën kjo ishte disfata e dytë në kuadër të këtij grupi në po aq ndeshje të luajtura.
Të enjten kampionët e Ligës Ballkanike janë nikoqirë të Kumanovës, derisa Bashkimi ndeshjen e radhës e ka përball të njëjtit kundërshtarë, por si mysafir.
Kejuan Johnson ishte më i dalluari te vendasit me 29 pikë, 9 asistime, 7 kërcime e 4 topa të vjedhur. Eric Palm po ashtu pati paraqitje të mirë me 18 pikë, kurse Ermin Jazvin kontribuoi me 12 pikë e 16 kërcime.
Në anën tjetër te Sigal Prishtina më efikasit ishin Malcolm Rhett dhe Andreë Lawrence me nga 16 pikë secili, derisa Jabarie Hinds shtoi 12 pikë.