Të pakta janë fjalët për të përshkruar atë që ka bërë kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Dardan Berisha në ciklin e parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.
Një gjë të tillë e ka thënë edhe vetë përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg në konferencën për media të organizuar menjëherë pas triumfit ndaj Estonisë, fitore kjo që ia siguroi Përfaqësueses sonë një vend në mesin e 32 kombëtareve për në kualifikimet evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.
Përkundër gjithë asaj që ka bërë për Kosovën, Berisha sërish është treguar i matur, duke folur me modesti për punën që e ka bërë gjatë këtij cikli parakualifikues. Në faktë ai ka folur në shumës për punën grupore që është bërë nga të gjithë ata që kanë qenë të involvuar direkt dhe indirekt në Përfaqësuesen e Kosovës.
Ai u tregua i fortë dhe krenar atëherë kur e mposhtëm Maqedoninë në shtëpi, fitore kjo e para në gara zyrtare të FIBA-s, por u tregua kokëlartë edhe atëherë kur e kritikuan pas dy humbjeve radhazi, por asnjëherë nuk u ankua, dhe asnjëherë nuk ndaloi së besuari në suksesin e kësaj Përfaqësuese.
Gjithë këto e bëjnë të veçantë kapitenin Berisha, i cili u “rikthye” në përballje me Estoninë dhe e bëri atë që di më së miri të bëjë, të udhëheq skuadrën e tij drejt suksesit historik.
Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësueses së Kosovës:
“Së pari falenderoj tifozët për përkrahjen dhe për besimin që na dhanë në ndeshjet si vendas, por edhe në ato si mysafir. Po ashtu falenderoj trajnerët, bashkëlojtarët, shtabin mjekësor, kryetarin e Federatës, stafin e FBK-së dhe gjithë ata që nuk u ndalën për të punuar dhe për të na ndihmuar të arrijmë këtë sukses.
Kjo nuk është pak që e kemi arritur, sepse e kemi eliminuar një Maqedoni, e cila para disa viteve ka përfunduar e katërta në Kampionat Evropian. Kjo tregon shumë për suksesin që e kemi arritur. Po ashtu e kemi mposhtur një Estoni, e cila është një kombëtare e respektuar në basketbollin evropian.
Kur i rrumbullaksojmë të gjitha këto atëherë i bie që e kemi bërë një punë shumë të madhe. E kemi shkuar vërtetë një histori, sepse prej vitit të kaluar kur nuk arritëm të shënojmë asnjë fitore në kualifikimet për Eurobasket, kemi arritur që pas një viti të shënojmë dy fitore dhe atë shumë të rëndësishme.
Jam shumë krenar që e kam bartur shiritin e kapitenit, por në anën tjetër kjo edhe ka qenë përgjegjësi e madhe për mua, por në fund gjithçka është shpaguar”.