Basketbollisti më i mirë i Sigal Prishtinës, Dardan Berisha pas fitores në ndeshjen e parë finale në Sigal Uniqa Ligën Ballkanike (BIBL) ka thënë se skuadra e tij në Tivar nuk do të udhëtoj për ta mbrojtur rezultatin e takimit të parë, por do të hyj në parket për ta fituar ndeshjen, me ç’rast edhe do të stolisej me titullin e dytë radhazi në këtë garë.
Prishtina të martën mbrëma para shikuesve të saj në një atmosferë fantastike e ka mposhtur Mornar-in me rezultat 82:68, ndërsa ndeshja e dytë finale do të zhvillohet të mërkurën e 20 prillit në Tivar me fillim nga ora 20:00.
Pas takimit të parë nga taborri i ekipit malazez janë deklaruar se nuk do të dorëzohen, por se do të bëjnë çmos për ta përmbysur rezultatin, gjë që e kanë bërë edhe më parë, më saktësisht në gjysmëfinale të BIBL-it kundër Kozuv-it. Por realiteti është se Prishtina dhe skuadra maqedonase dallojnë shumë për nga cilësia, pasi bardhekaltrit kanë në radhët e tyre basketbollistë mjaft cilësorë, të tillë si Dardani që në çastet vendimtare dinë të bëjnë më të mirën për ekipin.
11-shja bardhekaltër ka deklaruar se është i bindur se nëse skuadra e tij hyn në ndeshjen e dytë me qëllimin për të fituar dhe jo për ta mbrojtur rezultatin e takimit të parë, atëherë do të jetë ajo që do të del kokëlartë nga palestra, por edhe me një trofe në duar.
“Mendoj se e kemi bërë një punë të mirë në ndeshjen e parë. Kemi shënuar fitore të rëndësishme para tifozëve tanë në një atmosferë fantastike. Por tani gjithçka fillon nga zero, sepse kjo është vetëm pjesa e parë e finales dhe e dyta është javën e ardhshme në Tivar”, është shprehur Berisha.
Ai në vazhdim ka folur edhe për përgatitjet që do t’i bëjë ekipi i tij për ndeshjen e dytë.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më fortë, sepse tani jemi pranë realizimit të synimit dhe duhet ta japim maksimumin për ta fituar trofeun e dytë radhazi në Ligën Ballkanike. Sigurisht se nuk do të jetë lehtë, sepse Mornar-i është një skuadër që nuk dorëzohet. Na kanë mposhtur një herë, ndërsa ne i kemi mundur dy herë, do të thotë se duhet të tregohemi të kujdesshëm. Megjithatë unë jam shumë optimist se nëse luajmë fortë në mbrojtje dhe në sulm ashtu siç dimë ne, do t’ia dalim të kthehemi me trofe nga Mornar-i. Presioni në takimin e parë ishte në anën tonë, kurse tani është në anën e tyre. Sidoqoftë ne do të luajmë lojën tonë dhe do të bëjmë më të mirën për ta mbrojtur titullin e fituar një vit më parë”, ka deklaruar Berisha, i cili e ka përmbyllur duelin e parë me 20 pikë e 6 kërcime.