Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) të hënën (07.08.2017) e ka miratuar propozimin për Propozicionet e Garave për edicionin 2017/18 të Komesarit të Garave të FBK, për Superligën e Kosovës, Ligën e Femrave, Ligën e Parë të Meshkujve dhe Ligën e Dytë.
Në edicionin garues 2017/18 në Superligën e Kosovës risi është se skuadrat kanë të drejtë të kenë në ndeshje jo më shumë se 3 lojtarë të huaj, derisa do të kenë të drejtë t’i regjistrojnë 7 të huaj njëkohësisht.
Ndërkaq në Ligën e Parë të Meshkujve risi është se skuadrat duhet t’i kenë në përbërje 7 lojtarë të lindur në vitin 1996 e më të rinj.
Risia e radhës vjen në Ligën e Femrave, ku nga ky edicion kampioni i Kosovës në këtë garë do të përcaktohet pas 3 fitoreve, e jo 2 siç ishte deri në edicionin paraprak.
Gjithashtu risi këtë edicion garues është edhe fakti se ekipet në të gjitha ligat do të kenë të drejtë t’i udhëheqin vetëm trajnerët që do të licencohen nga FBK dhe SHTBK, në kuadër të Programit për Edukim dhe Licencim të Trajnerëve.
Duhet theksuar se paraqitja e klubeve për pjesëmarrjen në Superligë, Liga e Parë, Liga e Dytë, Liga e Femrave do të bëhet prej 15 deri më 31 gusht, kurse afati kalimtar për të gjitha ligat do të jetë prej 5 deri më 15 shtator, si dhe hedhja e shortit për Superligë, Ligën e Parë, Ligën e Dytë dhe Ligën e Femrave do të bëhet më 18 shtator.
Edicioni 2017/18 në Superligë do të filloj më 3 shtator/1 tetor, kurse më 14/15 tetor në Ligën e Parë, Ligën e Dytë dhe Ligën e Femrave.