Veterani slloven, Primozh Brezec këtë edicion është duke e udhëhequr skuadrën e AEK Larnaca-s nga Qipro.
AEK-u të martën nga ora 19:00 është mysafir i Sigal Prishtinës në ndeshjen që mund të vendosë se cila prej këtyre dy klubeve do të kualifikohet për në fazën e dytë të FIBA Europe Cup.
AEK-ut i mjafton fitorja për të kaluar fazën e parë dhe ekipi qipriot shpresat më të mëdha i ka te slloveni 36-vjeçar.
Në anën tjetër Sigal Prishtinës krahas triumfit ndaj AEK-ut, për të kaluar në fazën e dytë i nevojitet edhe fitorja e Energia-s nga Rumania ndaj Astana-s në Kazakistan, ndeshje kjo që do të luhet të mërkurën me fillim nga ora 15:00.
Brezec këtë edicion po luan me 19,8 pikë, 7,6 kërcime e 2,2 asistime për ndeshje në FIBA Europe Cup. Ai është realizatori i pestë më i mirë në këtë garë.
Qendra Brezec (216 cm) në shkurt të këtij viti ka firmosur me AEK-un, pasi kishte kaluar 7 muaj në pension. Ai ka karrierë plot shkëlqim. Ndër të tjera, i ka kaluar 8 vite në NBA dhe 11 vite në Përfaqësuesen e Sllovenisë.
Ai ka folur për faqen zyrtare të FIBA Europe Cup për karrierën e tij të deritashme, për pensionimin e rikthimin, derisa një pjesë të intervistës ia ka kushtuar edhe përballjes së të martës kundër Sigal Prishtinës:
“Ne duhet të mendojmë se e kemi një shans të shkëlqyeshëm për të kaluar në fazën e dytë dhe për këtë arsye do të bëjmë çmos që mos ta lëmë këtë shans të na ikë. Mendoj se e meritojmë një gjë të tillë. Kundër Prishtinës në shtëpi (101:84) ne ishim shumë të mirë në fazën e mbrojtjes dhe padyshim se ndërrimi i trajnerit ka qenë diçka shokuese për skuadrën. Megjithatë ne ende nuk kemi bërë asgjë, duhet të shkojmë atje dhe të fitojmë".